Nëna e 4 fëmijëve: Kur djali ishte 3 vjeç kuptova që diçka nuk shkonte
Programi “Historia ime”, në TV Klan solli ditën e sotme historinë e vështirë të nënës së 4 fëmijëve. Klodiana Firanji në studio rrëfeu se kur djali i saj ishte 3 vjeç, ajo kuptoi se diçka nuk shkonte me të, për shkak se ai nuk reagonte ndaj zhurmave dhe nuk fliste.
Pas vizitave dhe kontrolleve, nëna mësoi se vogëlushi kishte një ulje të thellë të dëgjimit.
Sot djali i saj është 7 vjeç dhe nëna shprehet se edhe pse kanë gjetur aparatet që mund të përshtaten me të dhe t’i përmirësojnë sadopak dëgjimin, nuk mund t’i marrin, për shkak të pamundësisë financiare.
Klodiana Firanji: Kam 4 fëmijë, 3 vajza dhe një djalë. Vajzat falë Zotit janë mirë me shëndet, djali në moshën 3-vjeçare kuptova që diçka nuk shkonte. I kryem një vizitë këtu në Tiranë, me ca përpjekje të mëdha, djali rezultoi që kishte ulje të thellë të dëgjimit. Më pas i kam vendosur aparate dëgjimi, bëhet fjalë para 3 vjetësh. Asnjë gjë nuk iu realizua.
Mirela Milori: Edhe me aparatin e dëgjimit nuk dëgjonte?
Klodiana Firanji: Nuk u përshtat aparati për Devin. Më pas kemi kryer edhe vizita të tjera dhe dolëm në përfundimin që duhet të vendosim aparate më të mira për Devin, që të përshtaten. Ne këtë aparat e vendosëm në veshin e djalit, funksionoi diçka mirë. Unë si nënë jam ndjerë keq vërtet që në atë moment, që nuk kam mundësi vërtet, që u bë zgjidhja, djali me atë aparat reagoi dhe unë nuk kam mundësi…
Mirela Milori: Në çfarë moshe e kuptove që djali kishte vështirësi në dëgjim?
Klodiana Firanji: Në moshën 3-vjeçare!
Mirela Milori: Çfarë kuptove ti që të bëri të mendoje se ai nuk dëgjonte?
Klodiana Firanji: Djali nuk fliste, bëja zhurma, nuk më kthente kokën, këtu e kuptova që diçka nuk shkonte.
Mirela Milori: E çove për ta vizituar?
Klodiana Firanji: Po, bëmë vizitën në Tiranë!
Mirela Milori: Çfarë diagnoze të dhanë?
Klodiana Firanji: Një ulje të thellë të dëgjimit!
Mirela Milori: Ulje të thellë të dëgjimit, të cilin e rregullonte me atë aparatin që ti the!
Klodiana Firanji: Po!
Mirela Milori: I pari nuk u përshtat si duhet dhe erdhi një aparat tjetër. Djali për sa kohë e mbajti?
Klodiana Firanji: Nuk e mbajti, bëmë provën që ky ishte i përshtatshëm për Devin dhe unë nuk kisha mundësi financiare.
Mirela Milori: Sa kushtonte?
Klodiana Firanji: Aparati kushtonte 2 mijë euro një, ne duhet të vendosnim të dy.
Mirela Milori: Të dy domethënë 4 mijë euro?
Klodiana Firanji: Po, por doktori më bëri këtë favor dhe m’i la 3 mijë euro!/tvklan.al