Rikthehen udhëtimet detare


Rikthehen udhëtimet detare

16:30 22/06/2020

Lejohen shtetasit shqiptarë që kanë leje qëndrimi në BE

Pas 3 muajsh ndërprerje për shkak të pandemisë së koronavirusit, tragetet nga Durrësi dhe Vlora kanë rinisur lundrimet për transportin e udhëtarëve drejt Italisë.

Fillimisht do të lejohen vetëm shtetasit e vendeve të BE dhe shtetasit shqiptarë që kanë leje qëndrimi në vendet e BE si dhe personeli diplomatik. 

Por sipas drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Paulin Ndreut përjashtime do të ketë edhe për personat që udhëtojnë drejt vendeve të BE për arsye shëndetësore.

“Mund të lëvizin edhe personat të cilët kanë nevoja emergjente në spitale ose për kurime në shtetet e BE”.

Ndreu shton se do të zbatohet me rigorozitet protokolli i Ministrisë së Shëndetësisë pasi tragetet do të operojnë me jo më shumë se 70 përqind të kapacitetit të udhëtarëve.

“Kapaciteti do të jetë 70 % si dhe do të jenë rreptësisht të kontrollueshme masat ndaj Covid-it”.

Nga data 1 Korrik do të kenë mundësi të gjithë për të udhëtuar me tragete nga dhe drejt Italisë.

Për zbatimin e protokollit në kuadër të masave antiCovid, është menduar që check-in i pasagjerëve të fillojë me herët, pasi nevojitet më shumë kohë në këtë periudhë të pandemisë.

Tv Klan






Të ngjashme