Rihapet transporti publik, maska e detyrueshme


Rihapet transporti publik, maska e detyrueshme

15:49 23/06/2020

Manastirliu: Do hapim ish-Kirurgjitë për të përballuar fluksin e Covid

Transporti publik qytetas dhe ndërqytetas është i lirë të fillojë funksionimin. Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se rihapja do të bëhet sipas rregullave strikt të mbrojtjes kundër përhapjes së Covid.

“Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur hapjen e transportit publik, por vetëm nën protokolle strikte, tashmë të miratuara, ku vendosja e maskës qoftë nga ata që shërbejnë apo nga qytetarët që e përdorin transportin publik, do të jetë e domosdoshme dhe nuk do të tolerohet asnjë thyerje e këtij rregulli”.

Ndërsa sistemi shëndetësor është ende në gjendje gatishmëri si pasojë e pandemisë, Manastirliu lajmëroi se po përgatitet hapja e spitalit të ish-Kirurgjive, për të përballuar fluksin në rritje të pacientëve që kanë nevojë për hospitalizim.

“Me plotësimin e kapaciteteve të spitalit Infektiv, po përgatitemi për hapjen e ish-Kirurgjive në QSUT për të përballuar fluksin aktual dhe po përfundojmë rekrutimin e stafit mjekësor dhe infermierëve që do të shërbejë në këtë spital”.

E nëse situata do të vijë duke u përkeqësuar, Ministria e Shëndetësisë ka gati spitalet Covid 3 dhe 4, të cilët janë parashikuar të jenë spitale karantinë.

Në kuadër të zbatimit të masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka kryer 1605 kontrolle në 24 orët e fundit. Inspektorët kanë konstatuar shkelje, e për pasojë një fasoneri është mbyllur, ndërsa janë gjobitur 2 Call Center dhe një pastiçeri.

Tv Klan






Të ngjashme