Mblidhet Kryesia e PD, përgatitjet për zgjedhjet lokale – (27 Qershor 2000)
Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur sot të përshtasë të gjitha strukturat e saj me procesin zgjedhor. Që nga e premtja e kësaj jave, sipas një programi të përcaktuar, anëtarët e komisionit elektoral së bashku me grupet e punës, do të zhvillojnë mbledhjet e kryesive në rrethe, për të vëzhguar ecurinë e përfaqësimit të PD në komisionet lokale, si dhe vëmendjen e strukturave në rregjistrimin e popullsisë.
Gjatë këtyre mbledhjeve do të përcaktohen edhe datat e aktiviteteve të Partisë Demokratike në rrethe, që do të thotë fillimi i fushatës për zgjedhjet lokale.
“Shpreh bindjen e thellë, se demokratët shqiptarë kanë të gjithë epërsinë morale, programore dhe eksperiencën qeverisëse, për të fituar zgjedhjet”, tha kryetari i PD Berisha, gjatë mbledhjes së sotme të kryesisë./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego