Masa e sigurisë për 3 shpërndarësit e drogës – (4 Korrik 2000)
Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Burg pa afat për tre të arrestuarit e drogës. Shtetasi turk Xhevdet Çelik, si dhe bashkëshortët Arben Shena dhe Rajmonda Shena, të arrestuar të shtunën e kaluar, për mbajtje dhe transport lëndësh narkotike, kanë dalë sot para gjyqtarëve, ku kanë marrë masën e sigurisë, burg pa afat.
Ndalimi i tyre u bë pasi antidroga e kryeqytetit, pas informacioneve paraprake gjeti pas një kontrolli në Butik Sonila, pronë e turkut Çelik, 67 kilogram kanabis të presuar. Sasia e madhe e drogës e paketuar, sapo kishte mbërritur nga Turqia nga vetë Xhevdet Çelik. Ende nuk dihet destinacioni i drogës, por sekuestrimi i saj shënon një sukses për policinë e Tiranës, në luftën kundër narkotrafikut./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj