Ministria e Transporteve nis kontrollin e cilësisë së rrugëve – (5 korrik 2000)
Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Ministria e Transporteve ka nisur kontrollin e cilësisë së materialeve të përdorura për ndërtimin e rrugëve. Një grup i posaçëm ka marrë kampionët e materialeve e të gjitha shtresave të shtruara deri tani për t’u bërë analizat e hollësishme. Sipas krerëve të kësaj ministrie, nëse do të rezultojnë materiale të skaduara apo të pa përshtatshme, do detyrohen firmat të bëjnë edhe njehërë punimet me të gjitha shpenzimet e tyre.
Ndërkohë supervizorët pas disa analizash që kanë bërë, kanë detyruar firmën Sarandopulos t’i rikthehet rrugëve të punuara me cilësi të dobët. Sipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, Sarandopulos pas disa vitesh punime dhe pas shtyrjes së afateve të përcaktuara ka realizuar vetëm 70% të kontratës.
Sipas të dhënave më të fundit firma Graniti, që ka marrë përsipër ndërtimin e rrugëve Korçë-Kapshticë dhe Lushnje-Rrogozhinë, ka realizuar përkatësisht 12 dhe 20% të kontratës. Megjithatë përveç afateve që deri tani kanë qenë prioritare Ministria e Transporteve do të merret gjerësisht me cilësinë e rrugëve, që të mos ndërtohen sot dhe të prishen nesër./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego