Maqedonasit bashkohen kundër kryeministrit shqiptar
Zaev: I jap 13 deputetë opozitës të formojë qeveri
Lideri socialdemokrat, Zoran Zaev nuk pranon kushtin e BDI-së për kryeministër shqiptar dhe është i gatshëm t’i japë deputetë VMRO-DPMNE-së opozitare për të formuar qeveri pakice. Këto komente, Zaev i bëri gjatë një debati televiziv me kreun e opozitës Hristijan Mickoski.
“Nëse ky është kushti që të jemi me BDI-në, nuk do të negociojmë me ta. Jam i gatshëm t’i jap 13 deputetë Mickoskit që ai të formojë qeveri pakice, ose do të kërkoj nga ai të më japë 6 deputetë që ne ta formojmë qeverinë. Përmes shantazheve nuk do të bisedojmë”.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti thotë se sikurse u zgjodhën Kryeparlamentari, Ministri i Brendshëm e i Mbrojtjes, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese shqiptarët në Maqedoninë e Veriut mund të kenë edhe Kryeministrin.
“Me kryeministër shqiptar rritet lojaliteti i shqiptarëve ndaj shtetit. Me kryeministër shqiptar forcohet integriteti dhe sovraniteti i shtetit. Ne nuk marrim hisen e tjetër kujt, pasi të huajin kurrë nuk e kemi dashur, por për hisen tonë gjak kemi derdhur”.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut ka përmbyll listën zgjedhore. Të drejtë vote në zgjedhjet e 15 Korrikut kanë diçka më shumë se 1.8 milionë qytetarë.
Tv Klan