Dështon mbledhja e KRT së Tiranës – (12 Korrik 2000)
Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Sot Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës, do të diskutonte rregulloren e zonimit. Kjo rregullore përcakton se çfarë mund të ndërtohet ose të mos ndërtohet në çdo pikë të kryeqytetit. Pika e dytë e rendit të ditës, ishte diskutimi për dhënien e 115 leje ndërtimi për qytetarë dhe firma ndërtimi.
Mbledhja dështoi sepse të gjithë përfaqësuesit e pushtetit qendror, nuk morën pjesë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Albert Brojka shpjegon:
Albert Brojka:- “Nga disa telefonata që kam pasur mbrëmë, të cilat nuk dëshiroj që të bëj publik emrat e anëtarëve të KRT-së edhe me dëshirën e tyre, nuk dëshirojnë të bëhen publik, pasi konfrontohen me pushtetarët e tyre qendror. Kanë marrë urdhër që të bojkotojnë institucionin e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Tiranës. Më vjen shumë keq është një institucion i ligjshëm, i përcaktuar me ligj është më e ndershme të vish dhe të votosh kundër, sesa të bojkotosh. Me një urdhër gojor të bojkotosh një institucion ligjor, që ndihmon ndërtimin, do të thotë të mos i lejosh frymë ekonomisë së tregut dhe të ndërtosh një ekonomi të centralizuar, ashtu siç ndërtoj sistemi totalitar 45 vjet”.
Ndërsa pjesa që mungoj deri tani nuk ka dhënë asnjë shpjegim zyrtar, pse nuk morën pjesë. Ndërkohë që përfaqësuesit e bashkisë vërejnë se miratimi i rregullores së zonimit, normalizon urbanistikën e Tiranës./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti