Investimet në periferi të kryeqytetit
Veliaj: Infrastruktura e re rrit vlerën e pronave
Rruga nga rrethrrotullimi i Mulletit deri tek Ura e Qehasë është tashmë funksionale. Veç zhvillimit më të madh të agroturizmit, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se ky përmirësim i infrastrukturës rrit edhe vlerën e pronës.
“Herën e fundit, metri katror i tokës ishte 10 mijë Lekë, kurse sot paska vajtur 50-60 mijë Lekë; do të thotë se ka një lloj vlerësimi me fuqi financiare nga Tirana urbane. Bukuritë e luginës së Erzenit i kemi te dera e shtëpisë, është një zonë pjellore, me njerëz punëtorë e bashkëpunues. Ndihem mirë që shumë sipërmarrje për agroturizëm, bujtina etj., i kanë sjellë një zhdërvjelltësi zonës, edhe për qarkullimin ekonomik të parasë”.
Veliaj njoftoi edhe nisjen e rindërtimit të banesave të dëmtuara prej tërmetit të Nëntorit si dhe shpërndarjen e pagesave cash.
“Kaloi loti i parë i Farkës, kaloi loti i dytë i Baldushkut, tani do të vazhdojmë me lotin e tretë që janë shtëpitë e Petrelës, Mulletit, Qehasë. Siç bëmë shtëpitë e shtatorit, do të vazhdojmë edhe me shtëpitë e Nëntorit, me të njëjtin ritëm. Qeveria sapo na akordoi fondin e granteve cash për banorët me dëmtime më të lehta”.
Rruga e re që fillon në dalje të fshatit Mullet dhe takohet me rrugën që lidh fshatin Fikas-Mangull me fshatin Qeha, do të ndihmojë për t’u afruar fermerët me tregjet bujqësore të Tiranës.
Tv Klan