5 në pranga pas disa muajsh hetime
Hetimet disa mujore të autoriteteve në Durrës çuan në pranga 5 persona, ndërsa 8 të tjerë u shpallën në kërkim. Ata akuzohen se në këmbim të parave ndihmonin persona të ndryshëm për të kaluar ilegalisht kufirin. Klan Plus zbardh emrat e të arrestuarve. Ata janë Mirdash Xhani, 58 vjeç, Iljaz Berisha, 58 vjeç, Igli Gripshi, 64 vjeç, Arben Ndreka, 49 vjeç, banues në Durrës dhe Elton Baroka, 39 vjeç, banues në Fushë Krujë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje narkotikësh.
Sa i përket 8 personave të tjerë të shpallur në kërkim, të cilët dyshohen si të përfshirë në këtë rrjet policia thotë se nuk bëhen me dije të dhëna të tjera të tyre për arsye hetimi. Në bashkëpunim me homologët vijon puna për lokalizmin, kapjen dhe ekstradimin e tyre drejt vendit tonë.
“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me shtetasit e shpallur në kërkim, ushtronin veprimtari kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Këta shtetas, kundrejt fitimit nga 1000 deri në 2500 euro, u jepnin ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit, personave që u refuzohej hyrja në vendet e BE-së“, thotë policia në njoftimin e saj për mediat.
Autoritetet sekuestruan edhe 3 automjete që përdoreshin për transportin e personave, 4 pasaporta biometrike dhe një sasi e konsiderueshme në euro dhe lekë./tvklan.al