Arrestohet Denito Ruçi, i dashuri i 17-vjeçares të abuzuar seksualisht
Policia ka arrestuar 34-vjeçarin Denito Ruçi, një personazh i njohur ky kur gjatë muajit Maj 2020 u bë publike çështja e abuzimit seksual të 17-vjeçares në Sarandë nga fqinji i saj 72-vjeçar.
Mësohet se Denito Ruçi alias Gentian Ruçi, është arrestuar nga blutë e Sarandës për dhunë në familje. Ka qenë babai i tij që bëri kallëzim në polici mbrëmjen e 4 Korrikut për ushtrim dhune në mënyrë të përsëritur ndaj tij dhe të ëmës. Pas denoncimit të të atit, 34-vjeçari u vu në pranga.
Emri i Denito Ruçit doli në media pas zbulimit të historisë së abuzimit seksual të 17-vjeçares nga fqinji i saj. Denito Ruçi pretendonte se është i dashuri i vajzës dhe ishte ai që e shtyu adoleshenten të denonconte përdhunimin nga komshiu.
34-vjeçari është person me precedent penal pasi në të kaluarën ka qenë i dënuar për dëmtime të tjera me dashje dhe prishje të qetësisë publike. /tvklan.al