Kryeministri Meta mbledhje urgjente me drejtorët e policisë – (4 Gusht 2000)


Kryeministri Meta mbledhje urgjente me drejtorët e policisë – (4 Gusht 2000)

22:35 04/08/2000

Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Kryeministri Meta ka mbledhur sonte me urgjencë, drejtorët e policisë së 13 prefekturave të Shqipërisë. Ai ka udhëzuar të gjitha strukturat e policisë të jenë të ashpër me kriminelët dhe të forcojnë kërkesën për zbatimin e ligjit. Duke marrë shkas nga vrasja tragjike dy ditë më parë e Drejtorit të Policisë së Shkodrës, kolonel Arben Zylyftari, kreu i qeverisë kërkoi forcimin e kontrollit sidomos në akset rrugore të veriut.

Udhëzime konkrete, Meta ka dhënë për forcimin e luftës antikrim në pikat e kalimit kufitar, dogana, aeroporte dhe porte detare. Nga dita e sotme policia do të kalojë në operacione për kontrolle për armëmbajtje pa leje, trafiqet ilegale dhe arrestimin e kriminelëve të kërkuar.  

Drejtorët e policisë janë shprehur se ngjarja tragjike ndaj shokut të tyre Arben Zylyftari i ka bërë që të reflektojnë më mirë për raportet aktuale mes krimit dhe uniformave blu. Ata i premtuan kryeministrit se do të zbatojnë me përpikëri ligjin kundër krimit dhe kriminelëve./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego






Të ngjashme