Makina e autorëve në flakë, detaje nga ekzekutimi në Elbasan
Ky është automjeti me të cilin persona ende të paidentifikuar ekzekutuan pasditen e kësaj të hëne 39-vjeçarin Emiljano Ramazani, në qytetin e Elbasanit.
Makina e autorëve ishte një Volkswagen me targa të vjedhura në Tiranë para 10 ditësh, të cilat i përkisnin një Renault Megane. Ata qëlluan të paktën 3 plumba në drejtim të 39-vjeçarit, teksa ky i fundit ndodhej në makinën e tij në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i luleve”. Më pas u larguan në drejtim të Bradasheshit dhe në një ullishte në fshatin Vidhas, i vunë flakën makinës.
Rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë momentalisht mbeten të paqarta, ashtu sikurse edhe shkaqet. Autoritetet mësohet se kanë ngritur disa pista hetimi, ndër të cilat edhe larja e hesapeve.
Viktima Emiljano Ramazani ishte nga qyteti i Elbasanit, por jetonte në Vlorë. Ai rezulton një person me precedentë të theksuar kriminalë në fushën e drogave të forta. I liruar nga burgu vetëm 6 muaj më parë, 39-vjeçari ishte kapur disa herë me drogë. Ai rezulton gjithashtu i dënuar edhe në disa vende europiane. Burime thonë se Ramazani dyshohet të ishte gjithashtu i përfshirë në aktivitetin e parave me fajde./tvklan.al