Koronavirus zbeh festimet për Kurban Bajramin
Vetëm 1000 pelegrinë vizitojnë Qaben në Mekë
Besimtarët myslimanë në të gjithë botën kremtojnë sot Kurban Bajramin, në një atmosferë krejtësisht të pazakontë për shkak të pandemisë së Covid-19. Të veshur me të bardha, simbol i pastërtisë, me maska dhe duke ruajtur distancën, pelegrinët përshkuan shtatë herë Qaben në Mekë.
Ata u falën në grupe të vogla dhe çdo lëvizje e tyre monitorohej nga ekspertë shëndetësorë. Vendi më i shenjtë e besimit Islam nuk kishte parë kurrë kaq pak pelegrinë në historinë moderne. Nga 2.5 milionë që vizitojnë zakonisht vendet e shenjta këtë vit ishin vetëm 1000 dhe të gjithë nga brenda Arabisë Saudite, pasi besimtarët nga jashtë nuk morën pjesë si pasojë e mbylljes së kufijve.
Në Turqi, Kurban Bajrami u fal për herë të parë në Aja Sofia, e shndërruar në xhami vetëm pak ditë më parë.
Hija e koronavirusit u ndje edhe në Lindjen e Mesme. Në Jordani festimet ishin të zbehta, kurse në Irak, Siri dhe Egjipt xhamitë u mbyllën dhe rrugët ishin bosh nga turmat e zakonshme të Bajramit. Në Bagdad të Irakut besimtarët injoruan shtetrrethimin dhe u falën jashtë ambienteve të xhamisë.
Tv Klan