KQZ: Afati i fundit për dorëzimin e listave zgjedhore – (22 Gusht 2000)
Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Ministria e Pushtetit Lokal ka dorëzuar sot pasdite pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, listën e votuesve shqiptarë. Numri i përcaktuar deri tani është 2 milion e 300 mijë votues, përfshij këtu edhe 400 mijë emigrantë. Megjithatë do të vazhdojë verifikimi nga komisionet zgjedhore vendore.
Zëvendës ministri i Pushtetit Lokal Blendi Klosi bëri thirrje për t’u regjistruar dhe ata që mund të kenë mbetur jashtë këtyre listave.
Blendi Klosi:- “Mendojmë se tashmë i duhet thirrur ndërgjegjes qytetare të çdo votuesi shqiptar, për të gjetur veten e tij në lista dhe për të bërë pranë komisioneve zgjedhore të qeverisjes vendore, pra KZQV që mendojmë që do të ngrihen javën që vjen, vërejtjet dhe ndryshimet e mundshme në listat e votimit”.
Paraqitja e listave të votuesit, do të thotë më shumë punë për KQZ.
Anëtari i KQZ:- “Kanë dorëzuar listat tre ditë përpara afatit të parashikuar. Sipas kodit zgjedhor këto duhet të dorëzoheshin në datën 25 Gusht”
Gazetarja:- Çdo të thotë dorëzimi i listave, më shumë punë, çfarë sjellë për KQZ?
Anëtari i KQZ:- “Dorëzimi i listave do të thotë, që votuesit shqiptarë do të kenë mundësi që me shpalljen e këtyre listave paraprake të bëjnë korrigjimet e mundshme dhe të rishikohen këto lista”.
Në këto kushte është i domosdoshëm krijimi i komisioneve vendore, të cilat do të bëjnë verifikimin e listave. Deri tani gjashtë parti politike, kanë dorëzuar emrat e anëtarëve të komisioneve lokale, pritet vetëm Partia Demokratike./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego