Fushata zgjedhore: TVSH përcakton minutazhin për partitë politike – (22 Gusht 2000)
Lajme Arkiva – Tv Klan 2000
Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Publik, ka nisur punën për caktimin e minutazhit në dispozicion të partive politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale të këtij viti. Kërkesa për këtë iu drejtua dje zyrtarisht këtij këshilli nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Mbi bazë të nenit 134 të kodit zgjedhor, Televizioni Publik Shqiptar do të vërë dhjetë orë transmetim falas, në dispozicion të partive politike. Këshilli Drejtues i Radio Televizionit, nën mbikëqyrjen e KQZ, hedh shortin për caktimin e segmenteve kohore për çdo parti apo kandidat të pavarur të regjistruar.
Fushata zgjedhore sipas ligjit do të zhvillohet nëpërmjet shpalosjes së drejtpërdrejtë të programit elektoral në TVSH brenda kohës së përcaktuar, të reklamave propagandistike, por dhe në minutazhin e edicioneve të lajmeve. Fushata elektorale do të mbyllet zyrtarisht 24 orë përpara fillimit të votimit, që do të thotë se deri atëherë, të gjitha subjektet që do të marrin pjesë në zgjedhje duhet të kenë konsumuar kohën televizive që i takon me ligj./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego