Rregullat e reja për policinë gjatë fushatës elektorale – (28 Gusht 2000)


Rregullat e reja për policinë gjatë fushatës elektorale – (28 Gusht 2000)

21:19 28/08/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Rregulla të veçanta për uniformat blu gjatë fushatës elektorale. Afrimi i datës së zgjedhjeve lokale, ka venë në lëvizje dhe krerët e policisë, për të vënë rregull tek vartësit e tyre. Një rregullore e veçantë, bazuar në ligjin për policinë e shtetit është dorëzuar në komisariatet e policisë për t’u bërë të njohur policëve.

Disa nga këto pika që policët duhet të kenë parasysh janë: Çdo efektiv i policisë me çdo lloj grade nuk ka të drejtë të shpreh bindjen e tij politike as në media dhe as në publik. Çdo polici i ndalohet mbajtja e objekteve që reklamojnë subjekt politik. Në qendrat e votimit policët kanë për detyrë vetëm mbarëvajtjen e procesit dhe nuk i lejohet të debatojë me votuesit rreth temës së zgjedhjeve. Gjithashtu nuk i lejohet të bëjë presion tek qytetarët rreth këtij problemi.   

Këto dhe pika të tjera të rregullores duhen zbatuar nga çdo polic, ndryshe masat rënduese mund të çojnë dhe në ndalimin e tyre. Me këto rregulla policia e shtetit synon një fushatë zgjedhjesh pa probleme, dhunë dhe implikim të policisë, në ngjarje problematike./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj






Të ngjashme