Shkolla e parë shqipe në Korçë drejt degradimit – (28 Gusht 2000)


Shkolla e parë shqipe në Korçë drejt degradimit – (28 Gusht 2000)

14:06 28/08/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Kjo është godina muze e shkollës së parë shqipe në Korçë. Është krijuar si godinë plot 150 vjet më parë. Ky vend njihet si i vetmi muze shkollor shqiptar. Kjo godinë tashmë ka kohë që po shkon drejt degradimit. Ka gati katër vjet që askush nuk ndihmon në mirëmbajtjen e saj. Muret janë të plasaritur gjithandej, shiu futet brenda duke shkatërruar të gjitha suvatë.

Kati i dytë i kësaj godinë si rezultat i amortizimit, ka dalë jashtë funksionit, duke i lënë reliket e historisë preh të pluhurit dhe mykut. Përgjegjësi i muzeut Jani Dede thotë:

Jani Dede:- “Në katin sipër akoma nuk kemi mundur të ekspozojmë, sepse edhe kushtet teknike të ekspozimit janë të pamundura. Godina e dëmtuar nga dimri nuk mund të ekspozojë materialet sepse ka rënë shi, ka rënë suvaja, kështu që këto kushte teknike nuk lejojnë as të ekspozohen materiale të tjera për periudhat në vazhdim”.

Për historianët që kanë hartuar projektin i gjithë restaurimi kushton katër milion lekë të reja, por deri në dhënien e fondit, ky muze me kaq vlera historike, mbetet përditë i rrezikuar./tvklan.al






Të ngjashme