Kryeministri Meta: SHBA mbështet projektet e Shqipërisë – (28 Gusht 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Kryeministri Meta ka dalë sot përpara gazetarëve pas përfundimit të vizitës së tij në SHBA. Ai ka sqaruar në veçanti se çfarë ka biseduar ndryshe nga takimi i Tiranës, me zonjën Ollbrajt në Washington.
Kryeministri Ilir Meta:- “Shtet e Bashkuara të Amerikës, janë tepër të angazhuara për një mbështetje konkrete dhe në shumë fusha të tjera konkrete përveç fushës së sigurisë dhe të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale, duke përfshirë këtu edhe veçanërisht këtu bashkëpunimin ekonomik. SHBA mbështet projektet e Shqipërisë, projektet që kanë të bëjnë me zhvillimin e portit të Durrësit dhe të Korridorit 8 në veçanti”.
Kryeministri ka dhënë shpjegime lidhur me marrëdhëniet greko-shqiptare, në veçanti për zërat se qeveria po diskriminon investimet e këtij vendi, konkretisht në portin e Durrësit. Qeveria shqiptare, tha Meta, nuk merr parasysh kombësinë e investimeve dhe nuk diskriminon asnjë prej tyre. Qeveria Meta nënvizoi ai është e para qeveri që ka firmosur masterplanin për portin e Durrësit. Gjatë qeverisjes që unë drejtoj, vijoi Meta, nuk është nënshkruar asnjë kontratë për dhënien me qira të portit të Durrësit. Kontratat, tha ai, kanë qenë të trashëguara nga qeveritë e mëparshme.
Përsa i përket incidentit të ndodhur dy ditë më parë me nënkryetaren e parlamentit Jozefina Topalli në Peshkëpi të Vlorës, kryeministri tha, se po kërkon sqarime të plota për këtë ngjarje. Meta ka ftuar të gjitha partitë politike të bashkëpunojnë me forcat e rendit për të shmangur çdo lloj incidenti. Kryeministri ka shprehur sigurinë se zgjedhjet do të shkojnë shumë mirë. Objektivi dhe preokupimi i qeverisë përfundoi Meta është sigurimi dhe mbarëvajtja e zgjedhjeve dhe jo rezultati i tyre./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego