Sali Berisha akuzon Metën për incidentin e Topallit në Selenicë – (28 Gusht 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Absolutisht është Meta ai që urdhëroi sipas burimeve pranë Poçit. Këto burime na kanë bërë të ditur dje se pas kthimit të Metës është dhënë urdhri që të mohohet ngjarja. Atëherë çfarë besimi mund të kesh tek Meta?”
Kështu i është përgjigjur ftesës së kryeministrit për të bashkëpunuar me forcat e policisë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha. Në një konferencë për shtyp së bashku me disa funksionarë të lartë të PD të Vlorës prezent në incidentin me nënkryetaren e parlamentit Jozefina Topalli, Berisha ka hedhur poshtë deklaratat e Ministrisë së Rendit. Policia, deklaruan demokratët vlonjatë, nuk na ka shoqëruar për asnjë moment edhe pse ishte njoftuar 72 orë më parë.
Kreu i PD deklaroi, se nuk do ta kapërcejë shumë thjesht këtë ngjarje, madje është përgatitur edhe një përgjigje.
Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Në qoftë se vazhdojnë të hedhin gurin e të fshehin dorën, në qoftë se vazhdojnë praktikën e Pilatit, të sajojnë krime dhe t’i mohojnë dhe ne do i japim përgjigjen më të merituar atyre. Jemi forcë e pamposhtur ne”./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego