Arrestimi i policëve në Kukës, trafikonin makinat e bllokuara në polici – (30 Gusht 2000)


Arrestimi i policëve në Kukës, trafikonin makinat e bllokuara në polici – (30 Gusht 2000)

15:02 30/08/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Arrestohet shefi i policisë kriminale të Hasit, 36-vjeçari Ramadan Allaraji dhe komandanti i postës kufitare të Dobrunit në këtë rreth, 32-vjeçari Ymerli Nezha. Prangat mbi dy oficerët e lartë të policisë, janë vendosur vetëm para pak orësh nën akuzën e shpërdorimit të detyrës nëpërmjet trafikut të makinave mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Burime nga Ministria e Rendit Publik i deklaruan TV Klan se ky operacion është zhvilluar në vazhdën e hetimeve që po i behej dosjes së kësaj çështjeje, që u hap dy javë më parë me arrestimin e shefit të komisariatit të policisë së rrethit të Hasit, Ali Peca. Nga hetimet e mëtejshme, agjentët dhe prokurorët kanë arritur të zbardhin mekanizmin e trafikut të makinave. Këto makina pasi bllokoheshin në ambientet e policisë së Hasit, pas disa kohësh zhdukeshin prej aty.

Nëpërmjet një rrejti trafikantësh këto makina silleshin në Durrës për t’u shitur tek pazari më i madh i makinave në Shqipëri, për një shumë që shkonte rreth tre mijë marka gjermane. Arrestimi i sotëm i shefit të policisë kriminale të Hasit Neim Allaraji dhe komandantit të postës të Dobrunit nga ku vinin makinat e vjedhura nga Kosova Ymerli Nezha, shënon nivelin më të lartë të arrestimeve në radhët e policisë.

Ministri i Rendit Poçi ka deklaruar se lufta kundër mafies në Shqipëri duhet të fillojë nga pastrimi i radhëve të policisë nga elementët e inkriminuar./tvklan.al






Të ngjashme