Petro Koçi prezanton kalendarin e fushatës socialiste – (30 Gusht 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Fatos Nano do të shkojë në Shkodër më 2 Shtator dhe në Tropojë më 5 Shtator. Sipas sekretarit organizativ të PS Petro Koçi, kryetari Nano do të zhvillojë takime elektorale në qytetet kryesore të veriut dhe të jugut të Shqipërisë.
Petro Koçi:- “Kryetari i PS Fatos Nano dhe kryeministri do të jenë kryesisht në qendrat e prefekturave”.
Gazetari:- Do të shkelë zoti Nano në qendra të tilla si Tropoja, Shkodra, ku më parë ai nuk ka pasur mundësi të shkojë?
Petro Koçi:- “Fatos Nano dhe Ilir Meta janë caktuar që të marrin pjesë në takimet elektorale që do të zhvillohen në qendrat e prefekturave. Kështu që nuk ka nevojë për të bërë asnjë koment abuziv lidhur me prezencën e tyre ose jo në rrethe të caktuara të Shqipërisë”.
Në selinë rozë është përcaktuar kalendari i lëvizjeve të anëtarëve të kryesisë dhe ministrave socialistë gjatë fushatës elektorale, në mbështetje të kandidatëve për kryetar të komunave dhe bashkive. Një vizitë zyrtare e kryeministrit Meta në Gjermani do ta pengojë atë të jetë në ditët e para të fushatës përkrah kryetarit Nano.
Sipas kalendarit të fushatës, më 1 Shtator socialistët në Pallatin e Kongreseve do të prezantojnë në ambient festiv kandidatin Edi Rama për Bashkinë e Tiranës dhe 11 kandidatët për njësitë bashkiake. Në ditët në vazhdim Nano do të prezantojë kandidatët e Durrësit, Shkodrës, Korçës e me radhë në të gjitha prefekturat./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame