Kaosi në Kakavijë, reagojnë Meta dhe Lleshaj
Situata kaotike në Kakavijë të Gjirokastrës me emigrantët që kërkojnë të kalojnë drejt Greqisë ka sjellë reagimin e Presidentit Ilir Meta. Ai i ka bërë thirrje qeverisë dhe Ministrisë së Jashtme që të vendosin kontakt me palën greke për të lehtësuar dhe garantuar lëvizjen e lirë të qytetarëve.
“Thellësisht i shqetësuar për situatën në të cilën ndodhen qytetarët shqiptarë të cilët vijojnë të jenë të bllokuar prej shumë orësh në pikën kufitare të Kakavijës, duke u ekspozuar seriozisht para rrezikut të përhapjes së pandemisë COVID-19. Zgjidhja duhet të jetë e menjëhershme”, shkruante Meta në Facebook.
Pak pas presidentit reagoi edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Sipas ministrit, procedurat e reja të testimit për Covid-19 në kufirin shqiptaro-grek kanë krijuar radhë të gjata.
“Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht për të menaxhuar situatën e vështirë të krijuar”, shkruan ai ndërsa shton se në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme po bëhen përpjekje për t”i kërkuar autoriteteve greke gjetjen e mundësive për përshpejtimin e procedurave të testimit dhe reduktimin e kohës së pritjes në kufi.
Për situatën reagoi edhe Partia Demokratike, e cila akuzoi Kryeministrin se vijon i pashqetësuar pushimet e tij, duke e shoqëruar denoncimin edhe përmes një videoje ku shfaqet kreu i qeverisë në rezidencën e tij në Dhërmi.
Pritja e emigrantëve në kufi vijon për disa ditë. Aksi rrugor Gjirokastër-Kakavijë është bllokuar për shkak të trafikut./tvklan.al