Përdorimi i maskave ul vdekshmërinë nga Covid-19
Të gjithë njerëzit që vendosin një maskë kur dalin në publik mund të ulin nivelin e vdekshmërisë nga Covid-19 rreth 5%, sipas një studimi të kryer së fundmi.
Nëse maska përdoret nga të moshuarit dhe njerëzit e sëmurë me Covid-19, efekti dyfishohet. Studimi i botuar në revistën Nature Communications është udhëhequr nga Dr Colin Worby nga Institui i MIT dhe Harvard.
Ai dhe Hsiao-Han Chang, nga Universiteti Kombëtar Tsing Hua në Tajvan, përdorën modelimin matematikor për të ekzaminuar ndikimin e përdorimit të maskave të fytyrës në mesin e popullsisë së përgjithshme, gjatë një shpërthimi të koronavirusit.
Ata studiuan kryesisht maskat e nivelit mjekësor, të referuara si ‘maska për fytyrën’, në krahasim me ‘mbulesat e fytyrës’, të cilat mund të bëhen prej pëlhure.
Ekspertët analizuan si kanë ndikuar maskat mjekësore gjatë shpërthimit të koronavirusit në numrin e përgjithshëm të infeksioneve dhe vdekjeve. Efekti i maskës i referohet asaj se sa mirë mbron një person nga njerëzit e tjerë të infektuar dhe sa e sigurt është në parandalimin e përhapjes së grimcave virale nga bartësit. Efektiviteti varionte nga 25 në 75 përqind.
Autorët e studimit zbuluan se kishte një rënie drastike në vdekje nëse të moshuarit mbanin maskë mjekësore. Më pas ekspertët studiuan se çfarë do ndodhte nëse i gjithë publiku do përdorte mbulesa për fytyrën siç janë një leckë apo shall, versione të ndryshme të maskave të fytyrës.
Maskat mjekësore për fytyrën supozohej se ishin tre herë më shumë mbrojtëse sesa mbulesat e fytyrës. Studiuesit zbuluan se mbulesat e fytyrës siguruan një ulje të konsiderueshme të vdekjeve totale. Vetëm mbulesat në fytyrë reduktuan vdekjen me tre deri në pesë përqind.
Autorët arritën në përfundimin se përdorimi i maskës në fytyrë është një komponent i rëndësishëm i masave të shëndetit publik për të kufizuar përhapjen e vazhdueshme të SARS-CoV-2.
“Pa vaksina të disponueshme dhe mundësi të kufizuara terapeutike, përdorimi i maskës së fytyrës është një komponent i rëndësishëm i masave të shëndetit publik për të kufizuar përhapjen e vazhdueshme të Covid-19”, janë shprehur studiuesit në shkrimin e tyre./tvklan.al