Patrullat Shqiponja aksion në Tiranë – (1 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Reparti Shqiponja dhe salla operative me numër 19 veproi në Tiranë, prej pak vitesh. 72 trupa dhe pesë oficer patrullojnë me 17 autopatrulla brenda unazës, 24 orë. Objektivi i autopatrullave Shqiponja është përgjigjja ndaj shqetësimeve të qytetarëve nëpërmjet numrit 19. Ardhja në ndihmë e komisariateve nëpër aksione, vajtje në vendngjarje, 66 persona të kërkuar të arrestuar, drogë e sekuestruar, rreth 80 kilogram marihuanë vetëm 20 ditë më parë, 69 makina të bllokuara si dhe ndërhyrja në 998 raste, ky është bilanci 6 mujor i Shqiponjave të Tiranës.
Sot rastësisht ndërsa përgatisnim këtë kronikë ne morëm pjesë në një aksion real të Shqiponjave. Shenjës së policisë në postbllokun pranë Korpusit, për të ndaluar, dy të rinjtë nuk iu përgjigjën duke u larguar. Menjëherë autopatrulla Shqiponja vihet në ndjekje të tyre. Në ndjekje të aksionit është edhe vetë shefi i repartit Shqiponja, Ismet Shkreta, i cili urdhëron bllokimin e rrugës nga ku hynë dy të rinjtë.
Vetëm pak sekonda ndjekje dhe gjithçka mbaron. Pas një bllokimi të detajuar, dy të rinjtë që s’ju bindën policisë ndalohen. Njërit prej tyre i kapet edhe një pistoletë. Aksioni i sotëm nuk është i vetëm që për autopatrullat Shqiponja konkludohet me sukses. Të gjitha rezultatet e mira sipas vetë policëve të Shqiponjave, vijnë falë kurajës dhe profesionalizmit të tyre, por dhe nga ndihma e madhe që vetë qytetarët i japin atyre nëpërmjet telefonatave në numrin 19./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj