Ulet numri i fëmijëve që kanë braktisur shkollat – (1 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Ditën fëmijët që shesin apo lypin do të punojnë, ndërsa pasdite do të shkojnë në shkollë. Këtë vit drejtoria arsimore, ka vënë në funksionim katër shkolla për nxënësit mbi 16 vjeç, që kanë braktisur shkollën, për ata që punojnë rrugëve të kryeqytetit dhe që nuk kanë mundësi ta ndjekin atë.
Nga analiza e kësaj drejtorie ekzistojnë dy lloj kategorish, nga mosha 7-16 vjeç dhe ata mbi 16 vjeç që e kanë braktisur shkollën. Këto probleme ekzistojnë në zonat periferike, të cilat janë mbipopulluar me të ardhur. Familje që janë shpërngulur për një jetë të re dhe që janë përballur me probleme ekonomike. Ideja e drejtorisë arsimore, kërkon zbutjen e problemeve sociale brenda shoqërisë. Ana Misha, drejtore në drejtorinë arsimore sqaron:
Ana Misha:- “Në vitin shkollor 93-94, numri i braktisjeve është 809 nxënës për moshën e detyrimit shkollor. Viti shkollor 98-99 ka 514 nxënës, kurse viti shkollor 99-2000 ka 483 nxënës, pra e kemi ulur gjysmë për gjysmë numrin e nxënësve që kanë braktisur shkollën. Numri më i madh i braktisjeve është në klasën e parë, që është e pafalshme për komunitetin dhe në klasën e pestë”.
Familja e shpërngulur ka vërtetë probleme sociale, por dhe analfabetizmi, i fëmijëve të tyre përbën problem social për shoqërinë./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti