Policia e Elbasanit sekuestron 24 kilogramë heroinë – (1 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
24 kilogramë heroinë zbulohen dhe sekuestrohen nga policia e Elbasanit. Ka përfunduar me sukses operacioni i policisë së Elbasanit, i drejtuar nga vetë kryepolici i këtij rrethi Edmond Koseni. Pasi e kanë survejuar prej kohësh policia e Elbasanit ka ndaluar një makinë ku gjetën sasinë më të madhe të heroinës të kapur deri tani.
Droga më një vlerë prej 1.8 miliard lekësh është gjetur në gomën e makinës diku pranë Cërrikut. Kryepolici i Elbasanit Koseni për suksesin më të fundit të policëve të tij tha për TV Klan.
Komisar Edmond Koseni:- “Kjo është heroina e përpunuar, me mbishkrimin Turkie. Dhjetë ditë më vonë nën drejtimin tim në Cërrik, u kapën prapë 25 kile kanabis të përpunuara, u arrestua dhe rrjeti i tretë. Ndërsa në periudhat kohore, kemi kapur sasi të vogla”.
Pronarët e drogës 24 kilogramë heroinë e pastër u ndaluan, por siç thotë dhe vetë Koseni, po hetohet dhe për ndonjë implikim të mundshëm të personave VIP. Droga e sekuestruar nga policia e Elbasanit është futur në Shqipëri transit pasi destinacioni i saj ishte Italia, por nuk ka mundur të përfundojë atje pasi është sekuestruar në kështjellën e komisar Kosenit./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj