Privatizimi i Birrës Tirana pritet të hap vende të reja pune – (1 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Në prag të privatizimit drejtuesit dhe punonjësit e Birrës Tirana, kërkojnë që të vlerësohet edhe mendimi i tyre. Ata janë entuziast nga emri Peroni, që ka fituar tenderin dhe kërkojnë që pronari i ri të jetë serioz. Ndërsa për procedurat e deritanishme drejtori Albert Hajnaj komenton:
Albert Hajnaj:- “Përfaqësues të ndërmarrjes, në shqyrtimin e dokumentacionit të tenderit, nuk janë prezent, që më duket jo e drejtë. Në mos për të qenë anëtart e komisionit të vlerësimit të ofertave, të paktën për të qenë si këshilltarë të komisionit të vlerësimeve. Një investim i propozuar nga firmat pjesëmarrëse në tender, mund të vlerësohet mirë edhe prej një përfaqësuesesi të kësaj ndërmarrje, po kështu një plan biznesi i ofruar”.
Ndërsa kryetari i sindikatës Ilia Duka kërkon që të mbrohen interesat e 140 punonjësve ashtu siç janë parashikuar në kontratë.
Ilia Duka:- “Në tender janë shprehur që do të shtojmë sasinë punëtore, të nënshkruajnë edhe një afat punësimi, dmth që të mbrojë punëtorët dhe nga ana sociale”.
Birra Tirana është krijuar që në vitin 1960. Prodhimi i saj shpërndahet në të gjithë vendin, por tregun më të madh e ka në Shqipërinë e Mesme. Kapaciteti i saj është 100 mijë hekto litra. Kohët e fundit prodhimi ka rënë nga konkurrenca e pandershme. Mallra pa doganë dhe prodhime false kanë dëmtuar Birrën Tirana. Pritet që privatizimi nga një firmë e njohur të zgjidh problemet e tregut dhe të hapen dhe vende të reja pune./tvklan.al