Presidenti Meta: Të mësojmë nga Maqedonia për rrugën europiane
Presidenti Ilir Meta ka përgëzuar arritjen e marrëveshjes mes LSDM-së dhe BDI-së në Maqedoninë e Veriut për krijimin e qeverisë së re.
Në një postim në Facebook, Meta shkruan se kjo marrëveshje forcon rolin e shqiptarëve, por edhe bashkëjetesën në shtetin fqinj.
Sipas Presidentit, zgjedhjet demokratike në Maqedoni dhe arritja e marrëveshjes janë rruga e duhur për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.
Dhe në këtë pikë, Meta thotë se Shqipëria duhet të mësojë prej fqinjëve për të respektuar marrëveshjen e 5 Qershorit mes PS-PD-LSI, si dhe të përmbushë të gjitha kushtet e tjera.
“Finalizimi i marrëveshjes për formimin e Qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut është një tjetër hap pozitiv për forcimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e reformave. Rritja e përfaqësimit të faktorit shqiptar në qeverisje, përfshirë dhe mundësinë e Kryeministrit shqiptar në të ardhmen, është tregues europianizues dhe vitalizues për forcimin e bashkëjetesës. Pas zgjedhjeve demokratike dhe konkurruese, fqinji ynë ecën me siguri të merituar për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Duhet të mësojmë prej tyre dhe të kthehemi në shina sa më parë, duke nisur me respektimin e Marrëveshjes së 5 Qershorit dhe plotësimin e gjithë kushteve të tjera”, shkruan Presidenti Ilir Meta. /tvklan.al