Reportazh, “Udhëtim në rivierën shqiptare” – (5 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Dita e sotme me shi dhe vranësira, i dha zyrtarisht fund sezonit dhe pushimeve verore. Lamë pas një vërë të nxehtë, ku vapën mund ta shuaje vetëm buzë detit. Deti Jon dhe bregdeti i jugut sigurisht priti pjesën më të madhe të turistëve shqiptarë, por dhe të huajve që nuk munguan. Bregdeti i Vlorës i njohur së fundmi edhe për nisjen e klandestinëve, këtë verë priti turistë të cilët me mundësitë e tyre zgjodhën një sezon pushimesh modeste, buzë ujit të kaltër të Jonit.
Bukurisë së bregdetit të Jonit, nuk i kanë rezistuar dhe atashet ushtarakë të trupit diplomatik në Shqipëri, të cilët bashkë me Ministrin e Mbrojtjes Gjoni, zgjodhën të kalonin fundjavën në jugun shqiptar, nga Vlora buzë Karaburunit dhe Sazanit drejt Sarandës. Një udhëtim jo shumë i gjatë ku mund të kundrosh fshatrat e bregdetit të ndodhur në shpatet e thepisur buzë Jonit.
Në Sarandë turistët këtë verë ishin të shumtë, mes tyre dhe mjaft të huaj, që nga Korfuzi vinin për të kaluar disa orë në bregdetin e panjohur më parë nga ata. Saranda dhe pse e varfër nga infrastruktura, për një qytet i cili mbahet kryesisht nga turizmi, nga viti i kaluar e sivjet kishte mjaft ndryshime. Hotele, lokale, por dhe disko, ku mund të kaloje mbrëmjet në Sarandë. Por bukuria e vërtetë është bregdeti i Ksamilit.
Bukuria e jugut vazhdon dhe më tej, Butrinti i vjetër thith çdo ditë njerëz të cilët, nuk mund t’i quajnë pushimet e tyre pa vizituar amfiteatrin e Butrintit. Ciceroni i njeh turistët me historinë e vjetër të Butrintit dhe vlerat antike të saj. Një pasuri kombëtar që flet aq shumë./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj