Egbo: Krenar për Tiranën, tregoi personalitet
Torassa: Ndaj Zvezda do të jetë “derbi i Ballkanit”
Tirana u kualifikua me karakter dhe dëshirë për të fituar. Bardheblutë vazhdojnë të shfaqin të njëjtin mentalitet me atë të kampionatit edhe në Europë. Por me doza dinakërie. Në të dy rastet e golave, shënuesit Torassa dhe Ismailgeci ndoqën me vëmendje aksionin duke përfituar.
Trajneri Egbo kërkon të inkurajojë jo vetëm skuadrën por edhe tifozerinë bardheblu.
“Të gjithë lojtarët duhet të jenë krenarë. Jemi gati për të treguar të njëjtën gjë edhe në kupat e Europës. Është ekip që ka krijuar personalitet dhe identitet loje”.
Egbo është frymëzuar nga lojtarët e afruar së fundmi dhe të rinjtë që u aktivizuan.
“Jam shumë i kenaqur me Filip Nadovski, Kristian Toshevksi dhe Aviaj, Ismaileci që bëri golin e parë, Jurgen Celhaka dhe Muçi. Janë lojtarë premtues që do jenë krenari e kampionatit dhe Kombëtares”.
Agustin Torrasa iu hodh mbrojtësve kundërshtar dhe si një grabitqar preku pak topin duke u kujdesur të mos bënte faul. Me fat realizoi golin e parë. Argjentinasi menjëherë shfaq edhe mendimet për përballjen me Crvena Zvezda.
“Do të jetë një rival shumë i fortë. Ka edhe diçka të vecantë, jo për mua por për pjesën më të madhe të shokëve të skuadrës. Bëhet fjalë për historinë dhe rivalitetin mes dy vendeve. Kjo ndeshje do të jetë si një derbi i Ballkanit. Janë gjëra që në një ndeshje duhet t’i lësh jashtë por në shumë raste ndikojnë. Gjithsesi nuk është më shumë se një ndeshje futbolli, shpresojmë të marrim një rezultat të mirë. Unë kam besim se kjo skuadër do të shkojë”.
Ndeshja me serbët e Crvena Zvezda do të luhet më 25 Gusht në ‘Air Albania’.
Tv Klan