Java e dytë e fushatës zgjedhore, prezantohen kandidatët e rinj (7 Shtator 2000)
Ka hyrë në javën e dytë fushata elektorale e partive politike për zgjedhjet lokale të 1 tetorit. Për Partinë Demokratike, Sekretari i Përgjithshëm Ridvan Bode prezantoi në Lezhë kandidatin për kryebashkiak, Njazi Reçi. Bode denoncoi rënien e investimeve të huaja në Shqipëri, sidomos në Telekomunikacion, Transport, industrinë e këpucëve e të tjerë.
Në Kuçovë anëtari i kryesisë socialiste Bashkim Fino paraqiti kandidatin për kryetar bashkie Artur Kurti dhe Fatmir Doksanin për komunën Kozare. Në këto tre vjet theksoi Fino, socialistët i dhanë Shqipërisë një imazh tjetër në rajon dhe në botë.Socialistët janë të përgatitur të qeverisin, të gatshëm të shërbejnë dhe janë të vendosur të korigjojnë dhe gjithashtu të sigurtë të ndryshojnë.
Ndërkohë në Durrës presidenti i Aleancës Demokratike Neritan Ceka prezantoi kandidaturën e 28 vjeçarit Altin Huka për Bashkinë Durrës. Ceka përpara aleantistëve durrsakë tha se nuk kishte ndër mend të bënte fushata të bujshme në sheshe apo pallate sportesh./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame