Kryeministri Ilir Meta vlerëson ecurinë e fushatës zgjedhore – (6 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Qeveria shqiptare vlerëson se fushata elektorale, që tashmë ka nisur në 1 Shtator, ka ecur në përgjithësi mirë dhe se forcat politike janë të angazhuar në përgjithësi për të respektuar rregullat e lojës demokratike dhe njëkohësisht se qeveria është tepër e vendosur dhe e angazhuar për të përmbushur të gjitha detyrimet ligjore të zgjedhjeve lokale të datës 1 Tetor. Kështu ka deklaruar sot kryeministri Ilir Meta para gazetarëve. Ndërsa përsa i takon pretendimit të kryetarit të opozitës për mos regjistrimin e 600 mijë zgjedhësve Meta tha:
Kryeministri Ilir Meta:- “Është e vërtetë se ambasadori Ahrens, ka ngritur shqetësimin se do të jetë e nevojshme që të merren masa sa më të plota për të bërë të gjitha korrigjimet e nevojshme të cilat janë të parashikuara dhe në gjithë legjislacionin që ka të bëjë me zgjedhjet edhe përsa i takon regjistrit të votuesve, por natyrisht as ambasadori Ahrens dhe askush tjetër nuk mund të konfirmojnë se sa është pasaktësia e regjistrit të votuesve”.
Partia Demokratike ka një përgjegjësi të veçantë për përgatitjen e regjistrimit të votuesit, i cili siç dihet është përgatitur në bazë të grupeve treshe me përfaqësues nga PD, PS dhe nga pushteti lokal, i cili në rreth 80% i takon PD. Ndërsa në lidhje me incidentin e zonjës Topalli në Vlorë, Meta tha, se me këtë çështje prokuroria ka bërë hetimet e saj dhe po kështu theksoi se një nga personat që pengon dhe nuk ndihmon në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje është edhe kreu i PD./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj