Kryeministri Meta inaguron autostradën Fushë-Krujë – Milot (7 Shtator 2000)
Inagurohet segmenti i parë i superstradës së veriut. Nga Fushë-Kruja në Milot, tashmë qytetarët nuk do të ecin më në rrugë plot gropa dhe të mundimshme. Që sot lodhja e pasagjerëve të veriut merr fund. Superstrada tashmë ka përfunduar nga Fushë-Kruja deri në dalje të urës së superfostafatit. 450 milion lekë është fondi që u përdor për ndërtimin e këtij segmenti, ndërtimi të urave, asfaltimit të saj 28 kilometër të gjatë.
Kryeministri Meta, ministri i Transporteve Nako dhe shumë ministra të tjerë, morën pjesë në inagurimin e superstradës. Ardhja në krye të transporteve të ministrit të ri Sokol Nako, përshpejtoi më shumë punimet jo vetëm për këtë superstradë, por dhe në segmente të tjera të rrugëve dhe autostradave. Kryeministri Meta përshëndeti banorët e zonës dhe i uroi ata për rrugën e re.
“Unë dua të ju garantoj se qeveria është tepër e angazhuar që brenda pak muajsh të gjejë financimin qoftë dhe me burimet e veta për të filluar një segment tjetër vazhdim të këtij, atë Lezhë-Shkodër që është kaq i rëndësishëm për të afruar Shkodrën me Tiranën dhe për të zhvilluar pjesën veriperëndimore të Shqipërisë e cila është dhe një nga zonat më të pasura të vendit e cila ka dhe dy plazhe aq të bukura siç janë të Shëngjinit dhe Velipojës që duhen shijuar nga gjithë shqiptarët dhe jo vetëm nga banorët e këtyre zonave.”
Gazetar: Eduart Frangaj