Mijëra protestues mbushin rrugët e Minskut


Mijëra protestues mbushin rrugët e Minskut

13:25 24/08/2020

Lukashenko shfaqet me kallashnikov në dorë

Mbështetësit e opozitës bjelloruse nuk u tërhoqën nga protestat në sheshin qendror të Minskut, pavarësisht kërcënime për burgosje dhe urdhrave për nxjerrjen e ushtrisë në rrugë nga Presidenti Aleksandër Lukashenko.

Dhjetëra mijëra prej tyre dolën sërish në sheshe në fundjavë duke lëshuar thirrje për ndryshim dhe për dorëheqjen e Aleksandër Lukashenkos, të cilin e akuzojnë për manipulim të zgjedhjeve presidenciale të 9 Gushtit.

Manifestuesit opozitarë kërkuan po ashtu t’i jepet fund dhunës policore ndaj qytetarëve dhe lirimin nga burgu të mijëra protestuesve të arrestuar.

Edhe pse protesta ishte masive, Aleksandër Lukashenko, nuk reshti së demonstruari forcën. Televizioni shtetëror shfaqi pamje të tij me një kallashnikov në dorë, teksa vizitonte ekipet speciale të policisë që kishin krijuar gardh pranë protestuesve. Lukashenko u tregoi efektivëve kallashnikovin, mbase edhe si shenjë që duhej përdorur.

Po ashtu, ai hipi vetë në një prej helikopterëve të policisë për të parë nga lart vargun e protestuesve, që zgjatej me qindra metra në bulevardin kryesor të Minskut.

E teksa diplomacia europiane kërkon zgjidhjen e krizës me dialog, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, aleat i Lukashenkos, akuzoi drejtuesit e opozitës se vetë janë arratisur në perëndim, ndërsa kërkojnë gjakderdhje në Bjellorusi. 

Tv Klan






Të ngjashme