Kryebashkiaku Albert Brojka i përgjigjet akuzave të Nanos – (9 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Kryebashkiaku aktual i Tiranës, Albert Brojka i është kundërvënë sot dy partive të mëdha. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike tha ai, janë përgjegjëse për mos regjistrimin korrekt dhe manipulimet e listave. Kështu qytetari i parë i Tiranës i është përgjigjur akuzave të kreut socialist Fatos Nano, sipas të cilit Brojka ka falsifikuar listat në favor të PD.
Albert Brojka:- “Më vjen keq që një lider që pretendon të jetë lider modern i së majtës, të akuzojë në mënyrë të tillë të zgjedhurit e pushtetit lokal. Në radhë të parë zoti Nano duhet të dijë mirë se si bëhet procesi i votimit, po përpiqem t’ia mësojë se jam i bindur se nuk e di. Listat e zgjedhjeve i kanë bërë grupe treshe, të drejtuara nga një përfaqësues i PS, një i PD dhe një përfaqësues i bashkisë dhe të gjitha listat janë me procesverbal të firmosura nga të tre këta përfaqësues. Në qoftë se dikush duhet të mbajë përgjegjësinë se përse ka mungesa në lista, përgjegjësinë e kanë dy partitë kryesore, të cilët për regjistrimin e popullsisë, kanë sjellë përfaqësues të moshës mbi 65 vjeç dhe me prapambetje të theksuar në arsimimin e tyre. Përsa i përket procedurës së votimit, procedura ka ardhur e miratuar nga qeveria shqiptare dhe në qoftë se ka defekte kjo procedurë, këtu e ka përgjegjësinë qeveria shqiptare”./tvklan.al
Gazetare – Ornela Bego