Rama, fushatë për Djukanoviçin
U kërkon shqiptarëve të Malit të Zi ta votojnë për një mandat tjetër
Vetëm katër ditë përpara se malazezët t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale në disa komuna, për presidentin Milo Djukanoviç ka bërë fushatë me një videomesazh edhe Kryeministri Rama. Në një moment, Rama shqipton në gjuhën serbe “Me vendosmëri për Malin e Zi”, që është slogani i fushatës zgjedhore të socialisteve malazeze.
“Nuk ka kohë për eksperimente që mund të sjellin pasiguri dhe të panjohura për Malin e Zi dhe zhgënjim për ju. Duhet të qëndroni fuqishëm pas Milo Djukanoviçit më 30 Gusht dhe të vijoni punën e tij që e ka bërë Malin e Zi një yll të shndritshëm në rajonin tonë si shtet krenar i NATO-s”, thotë Rama.
Djukanoviç dhe partia e tij, DPS kanë qeverisur ish-republikën Jugosllave pa ndërprerje, që kur u prezantua demokracia shumëpartiake në vitin 1989. Ndërkohë në zgjedhjet e fundit, të mbajtura në tetor 2016, Partia Demokratike e Socialistëve e Gjukanoviç fitoi 35 nga 81 vendet ne parlament.
Në zgjedhjet parlamentare të 30 Gushtit, partitë shqiptare do të dalin me dy lista zgjedhore pasi nuk kanë arritur t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet për t’u bashkuar në një listë të vetme.
Në zgjedhjet e kaluara parlamentare, që u mbajtën më 16 Tetor 2016, partitë shqiptare garuan në tri lista zgjedhore dhe arritën të fitojnë vetëm një deputet në parlament.
Klan Plus