Albert Minga për të drejtën ekskluzive të CHL nga TV Klan – (10 Shtator 2000)


Albert Minga për të drejtën ekskluzive të CHL nga TV Klan – (10 Shtator 2000)

13:51 10/09/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Intervistë me nënkryetarin e KKRTV zotin Albert Minga, për blerjen e të drejtës ekskluzive nga TV Klan të Champions League.

Gazetari:- Zoti Minga, si nënkryetar i Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit, a keni ju dijeni për blerjen e të drejtës ekskluzive nga TV Klan të Champions League?

Albert Minga:- “Pak kohë kam që kam marrë një informacion lidhur me të drejtën ekskluzive që ka nënshkruar TV Klan me FIFA-n, për transmetimin e ndeshjeve të Kupës së Kampioneve dhe mendoj që ky moment duke u zyrtarizuar, kjo marrëveshje, shënon një datë historike se si duhet të fillojnë transmetimet në mënyrë profesionale, në mënyrë të ndershme, duke zbatuar një nga kërkesat për mendimin tim thelbësore që duhet të plotësojnë radio televizionet, qoftë ky publik apo privat, lidhur me një nga pikat kryesore të së drejtës së autorit. Në këtë koncept unë do ta quaja si një ogur të mirë dhe mund të them që, ligji 84/10, për radio televizionet publike e private, ka filluar të funksionojë. Kjo është e rëndësishme në dy aspekte, e para rrit cilësinë e transmetuesit, i cili merr sinjalin në mënyrë profesionale, pa ndërhyrje teknike dhe e dyta institucionalizon këto marrëveshje”.

Gazetari:- Zoti Minga, TV Klanit ky investim i ka kushtuar rreth 300 mijë dollarë, mendoni se kjo e drejtë ekskluzive e blerë nga TV Klan, do të respektohet nga televizionet e tjera? Në rast se jo, ju si KKRTV, çfarë masash do të merrni për zbatimin e saj?

Albert Minga:- “Unë po e përsërisë edhe një herë, që një nga pikat e rëndësishme që nënshkruajnë operatorët përpara se të fillojnë si operatorë televiziv, pika e parë është që të gjithë marrin përsipër të njohin të drejtën e autorit. Kjo do të thotë që, ata janë të detyruar nga pikëpamja ligjore të zbatojnë rregullat e lojës. Ne bëhemi palë me ata operatorë të cilët marrin përsipër të zhvillojnë aktivitetin e tyre, duke zbatuar ligjet dhe kërkesat që ka vendosur KKRTV”./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj  






Të ngjashme