KQZ kundër të huajve në fushatën elektorale shqiptare – (13 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deklaroi sot pas një mbledhje të gjatë se pjesëmarrja e të huajve në fushatën elektorale shqiptare dhe prononcimi i tyre pro apo kundër një force politike, apo kandidati, bie ndesh me nenin 130.5 të kodit zgjedhor. Sipas këtij neni ndalohet propaganda e të huajve gjatë fushatave zgjedhore. Komisioni u tërheq vëmendje subjekteve politike shqiptare që po përdorin së fundi delegacione të huaja për qëllime elektorale.
Kjo deklaratë e KQZ-së bëhet pas ankimeve të Partisë Socialiste ndaj fushatës së disa të huajve në favor të opozitës. Partia Demokratike sipas anëtarëve të KQZ, por edhe Partisë Socialiste, ka shkelur kodin zgjedhor duke përfshirë në fushatë kryetarin e bashkisë së Barit, Simone Dicanio, i cili në kundërshtim me këtë kod por edhe të normave etike e diplomatike, jo vetëm përfshihet në radhët e militantëve por bën edhe premtime.
Pas vërejtjes së bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe protestës së socialistëve, ambasadori i OSBE-së Ahrens ka deklaruar, se ai do të marrë në konsideratë çdo ankesë të subjekteve politike, në lidhje me zhvillimin e fushatës./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj