Stresi prek 90% të popullsisë në vendin tonë – (13 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Stresi njihet si sëmundja e intelektualëve. Janë kryesisht problemet sociale ato që shkaktojnë çrregullime të ekuilibrit mendor. Në vendin tonë rreth 90% e popullsisë vuan nga stresi dhe një pjesë mjaft e mirë rreth 60% kurohen. Më të prekura nga stresi mbeten gratë, ndërsa mosha që vuan këto pasoja është 20 deri në 45 vjeç.
Viti ’97, mbetet viti kur të sëmurët me stres u shtuan në vizitat mjekësore. Kushtet ekonomike, problemet familjare, si edhe ato gjatë punës, në një pjesë të mirë të rasteve janë shkaktarët e kësaj sëmundje. Ilaçet më të përdorura janë qetësuesit, por efekt sjell edhe psikoterapia, e cila në 95% të rasteve bën efekt.
Në mjaft vende të botës prodhohen ilaçe kundër stresit dhe shpenzimet janë të pallogaritshme. Stresi tek popullsia aktive, i kushton Zvicrës rreth tre miliard dollarë në vit. 82% e punonjësve zviceranë deklarojnë se vuajnë nga pasojat e stresit. Shumica e tyre janë përdorues të rregullt të duhanit. Njerëzit e prekur thonë se simptomat më të zakonshme janë dhembje shpine, nervozizëm, dhimbje e qafës dhe tendenca për të patur këmbët dhe duart e ftohta./tvklan.al