2 vjet pas ngjarjeve të 14 Shtatorit. Çfarë ndodhi atë ditë? – (14 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Ceremonia e varrimit të Azem Hajdarit në 14 Shtator ’98, filloi në orën 11. Mijëra qytetarë të Tiranës dhe rretheve në sheshin Skënderbej, morën pjesë në ceremoninë zyrtare. Arkivoli me trupin e pajetë pas kësaj do të nisej drejt varrezave të Sharrës, por në orën 11:30, Berisha shkon drejt selisë së PD, ndërsa njerëzit me arkivolin në krye nisen drejt kryeministrisë. Pas 30 minutash skadonte ultimatumi i partive të djathta, drejtuar presidentit Mejdani për dorëheqjen e qeverisë.
Në orën 11:45 njerëzit me arkivolin e Hajdarit shkojnë tek porta e godinës qeveritare. Në atë moment fillojnë të shtënat e armëve. Ushtarët e gardës tërhiqen përballë civilëve të armatosur dhe në orën 12 pa 5, tanket dalin në bulevard, por dy autoblinda dhe katër tanke bien në duart e demonstruesve. Në orën 12:05, shpërndahet lajmi se kryeministri Nano dhe dorëheqjen. Disa minuta më vonë njerëzit e armatosur pushtojnë godinën e qeverisë. Pas kësaj të shoqëruar nga dy tanke, turma i drejtohet RTVSH. Në orën 12:20, kryetari i Legalitetit Ekrem Spahia nga ekrani i TVSH deklaron se institucionet janë në duart e opozitës, qeveria ka rënë dhe njerëzit duhet të përmbahen për të mos i dëmtuar ato.
Deri në orën 14 bien me radhë të gjitha institucionet e qeverisë. Ky është momenti kur turmat e armatosura fillojnë të plaçkitin dyqane dhe lokale të qendrës së Tiranës. Ndërkohë Departamenti Amerikan i Shtetit nxjerr deklaratën që ambasadorja Lino ia komunikon Berishës, se SHBA nuk do të njoh asnjë qeveri që vjen në pushtet me dhunë. Pas kësaj entuziazmi i demonstruesve bie dhe deri në orën 19:30, ata largohen nga të gjitha institucionet. Policia del në rrugë dhe qeveritarët nga ekrani i televizionit shtetëror konfirmojnë se situata është rimarr nën kontroll./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj