Mediu: Basha të bëjë marrëveshje me aleatët


Mediu: Basha të bëjë marrëveshje me aleatët

16:00 09/09/2020

PS po u bën oferta partive të opozitës

Teksa palët pritet të ulën në tryezën e Këshillit Politik për të reflektuar ndryshimet kushtetuese në Kodin Elektoral, Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu denoncon tentativën, që sipas tij, po bëhet nga grupe pas Kryeministrit Rama, me qëllim blerjen e disa prej partive të rreshtuara në kampin opozitar.

“Ka aktualisht oferta që hidhen nëpër partitë politike opozitare për t’u larguar nga fondi opozitar me oferta të majme, për të shkuar drejt bashkëpunimit me Ramën”.

Nuk përmend emra, por kërkon nga Lulzim Basha të nënshkruajë një marrëveshje të karakterit politik, edhe për mënyrën e qeverisjes pas ardhjes në pushtet.

“Të flasim vetëm për moral politik është me qenë pak naiv. Çështja është që ne duhet të kemi një marrëdhënie obligatore në raport me njëri-tjetrin, për të përcaktuar qartësisht skemën jo vetëm të bashkëpunimit politik dhe elektoral, por edhe të funksionimit së bashku në qeverisjen e ardhshme”.

Opozita ende nuk e ka bërë të qartë nëse në 25 Prill do të jetë e grupuar në një, apo më shumë koalicione.

Mediu thotë se në kampin opozitar janë rreshtuar jo vetëm parti të qendrës së djathtë, por edhe të majta, ndaj kërkon të qartësohet mekanizmi  dhe formula që do të përcaktojë maksimalizimin e votës.

“Ne kemi një opozitë, e cila fillon nga e majta dhe përfundon tek e djathta. Në qoftë se organizimi elektoral i opozitës do të jetë se kush ti marrë njëri-tjetrit, ne nuk do të garantojmë asnjë lloj suksesi, vetëm disfatën e opozitës”.

Dhe në funksion të votës, Mediu kërkon që Këshilli Politik të vendosë penalitete të ashpra, deri përjashtimin nga parlamenti për këdo që tregton në Kuvend votëbesimin e dhënë nga qytetarët në zgjedhje.

Tv Klan






Të ngjashme