“Ngelëm me lecka në krah, bashkia të na ndihmojë”
Partia Demokratike ka sjellë këtë të enjte një tjetër rast ku sipas tyre, qytetarit nuk i kthehet përgjigje nga Bashkia e Durrësit në lidhje me shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti.
Sadik Resnjaku ka treguar për kreun PD-së në qytetin bregdetar, Ferdinand Xhaferraj, se që prej 26 Nëntorit, kur i është prishur shtëpia, nuk ka gjetur zgjidhje ende dhe është detyruar që të lëvizë së bashku me fëmijët me qira nëpër shtëpi të ndryshme.
“Që nga 26 Nëntori e deri sot janë bërë 9 muaj. Dua të di, kur do fillojnë punimet se më vonë vjen dimër, jo nuk punohet se kohë e keqe, më the të thashë. U bëmë 9 muaj! Ngelëm me lecka në krah. Me qira duke ndërruar shtëpitë. Do bëhet, do bëhet, thotë bashkia. Kemi shkuar disa herë por të vihet pika mbi i, kur do fillojnë punimet. Se tërmeti vërtet ka rënë në shtëpi dhe falenderoj Zotin që nuk na mori jetën, e kupton apo jo. Po na ka rënë dhe në tru! Nga ana psikike s’jemi në rregull hiç. Me pleq e me fëmijë të vogël. Gjatë verës që dalin milingonat në rrugë, për sytë e ballit nuk ju rrej, unë i kapërcej se edhe ato kanë shpirt, janë milingona. Ne as sa milingonat nuk konsiderohemi, qenia njerëzore. Kemi punuar një jetë të tërë. Kërkoj me insistim, bashkia të vihet në lëvizje t’i japi drejtim kësaj pune”, tha Resnjaku./tvklan.al