Edhe Lleshaj si Besa Shahini
“Nuk do të jem ministër mandatin tjetër”
Pas Besa Shahinit një tjetër ministër deklaron se nuk do të jetë më në postin që mban, nëse Partia Socialiste merr një tjetër mandat. Është Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili e deklaroi këtë nga Vlora, ku mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të forcave “Shqiponja”.
“Nuk do jem i përhershëm në këtë post është e sigurt. Askush nuk është i përhershëm në një post”.
Nuk dihet nëse ky është një vendim personal i Sandër Lleshajt, apo një strategji elektorale e Partisë Socialiste për fushatën zgjedhore. Por ndryshe nga Besa Shahini, një ministre politikisht në hije, Sandër Lleshaj erdhi në krye të Ministrisë së Brendshme dhe u katapultua si drejtues politik i PS në Lezhë, duke dalë nga zyrat e kabinetit të Kryeministrit Rama, si këshilltar i tij për Çështjet e Mbrojtjes dhe Sigurisë.
Si figurë e lartë politike ai mendohej se do të kryesonte edhe listën e deputetëve socialistë për Lezhën në zgjedhjet e ardhshme, por socialistët pak ditë më parë morën vendimin për ta larguar si drejtues të qarkut dhe tani nuk dihet as nëse do të jetë pjesë e listës së deputetëve.
Deri tani, Partia Socialiste ka qëndruar larg komenteve të deklaratave të dy ministrave për të mos qenë pjesë e kabinetit të ardhshëm, nëse socialistët i fitojnë zgjedhjet.
Tv Klan