Fëmijët flenë nëpër rrugë


Fëmijët flenë nëpër rrugë

11:39 12/09/2020

Situatë e rëndë në ishullin Lesbos pas djegies së kampit

Pas zjarrit të fuqishëm që përfshiu të gjithë kampin Moria në Lesbos të Greqisë, mijëra fëmijë, gra dhe burra tanimë janë në mëshirë të fatit.

Pjesa më e madhe e tyre kanë kaluar një tjetër natë në qiell të hapur. Autoritetet greke kanë deklaruar se zjarret ishin vënë qëllimisht nga banorët e kampit të cilët kanë kundërshtuar karantinën, pasi mbi 30 emigrantë dolën pozitiv me Covid-19. Kampi ishte vendosur nën izolim deri në fund të Shtatorit.

Videot e publikuara në internet tregojnë sesi fëmijët flenë në rrugë. Emigrantët përdorën batanijet e shpëtuara nga zjarri për t’u mbrojtur nga i ftohti.

Përpos situatës së vështirë në të cilën ndodhen, emigrantët kanë protestuar duke kërkuar që t’i strehojnë pasi kushtet e motit gjatë muajve në vazhdim do të mund të përkeqësohen, si dhe t’ju sigurohet ushqim. Situata ka rritur tensionet me banorët vendas të cilët kanë kërkuar prej kohësh që Moria të mbyllet.

Zyrtarët kanë deklaruar se fëmijët do të transferohen në vende të sigurta dhe më pas do të ngrihen çadra për të gjithë grupet.

Moria është kampi më i madh i refugjatëve në Greqi dhe Europë. Prej vitesh ai është i tejmbushur dhe sipas të dhënave të fundit i aty ndodhen 12.600 refugjatë, kur kampi ka një kapacitet vetëm prej 2800 vendesh. 70% e emigrantëve të paligjshëm kanë ardhur kryesisht nga Afganistani, Libani, Siria dhe Afrika, të cilët janë larguar si pasojë e konflikteve dhe varfërisë.

Në prill, Human Rights Watch bëri të ditur se autoritetet greke nuk kishin marrë asnjë masë për të shmangur mbipopullimin e kampit në kohën kur edhe pandemia e Covid-19 sapo kishte shpërthyer.

Klan Plus






Të ngjashme