Lojtari i Kombëtares infektohet me Covid-19
Lojtari i kombëtares shqiptare Ylber Ramadani është infektuar me koronavirus dhe nuk do të luajë në javën e parë të Superligës së Danimarkës me skuadrën e tij Vejle.
Sipas medieve daneze, lojtari është infektuar një javë më parë teksa ishte në Shqipëri i grumbulluar për dy ndeshjet e kombëtares.
“Ai rezultoi i infektuar një javë më parë”, raportohet të ketë thënë drejtori teknik i klubit, Jacob Kryger.
Por një javë më parë, Ylber Ramadani nuk ishte me kombëtaren pasi përfaqësuesja ndodhej në Bjellorusi që prej datës 2 Shtator.
Mediat citojnë burime nga klubi danez që pohojnë se 24-vjeçari Ramadani nuk ka shfaqur simptoma dhe ka vijuar stërvitjen normalisht, por në respekt të protokolleve anti-covid ai nuk do të luajë në ndeshjen e parë të skuadrës së tij.
Ramadani i infektuar me Covid u përfol edhe në mediat shqiptare dy ditë para ndeshjes me Bjellorusinë, por FSHF publikoi rezultatin e tamponit, të cilit lojtarët iu nënshtrohen para çdo ndeshjeje ndërkombëtare.
Sipas këtij dokumenti, si Ramadani, ashtu edhe Ismajli dhe Memolla ishin negativ.
Tv Klan