“Ne përgatitemi për më të keqen, duke shpresuar më të mirën”
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e pyetur nëse rrezikojmë të mbyllemi sërish në vjeshtë, tha se rreziku ekziston dhe se në vetvete edhe hapja e shkollave do të ketë një efekt në situatën e pandemisë. Por ministrja tha se sot “nuk mund të themi nëse projektohet një mbyllje sepse nuk jemi në këtë situatë”.
“Ajo çfarë ndodhi në Shqipëri është që pas rihapjes, patëm një relaksim të sjelljes, që u shoqërua me rritje të numrit të infektimeve. Ajo çfarë është vërejtur nga analizat që kanë kryer ekspertët tanë, është që rritja ka qenë e qëndrueshme, sepse edhe masat që janë marrë në mes të Korrikut, qoftë me mbylljen e klubeve të natës, qoftë me mbylljen e bareve dhe sidomos vendosja e maskave brenda ambienteve të mbyllura, ka sjellë një qëndrueshmëri në rastet pozitive.
Patjetër që rrezikojmë në vjeshtë, edhe shkollat do të kenë një efekt. Nga ana tjetër të mos harrojmë se në periudhën vjeshtë-dimër shtohet edhe viroza e stinore, gripi. Ajo çfarë jemi duke bërë, që kemi punuar përgjatë verës, për të rritur kapacitetet në mënyrë që të përballojmë vjeshtë-dimrit, qoftë kapacitetet spitalore, qoftë ato testuese, ato të gjurmimit apo të hetimit në terren”.
Më tej Manastirliu u shpreh se aktualisht jemi në një fazë risku sepse çdo hapje e çdo aktiviteti na rrit ekspozimin ndaj virusit.
“Ne përgatitemi për më të keqen, duke shpresuar më të mirën, por brenda skenarëve, sigurisht situata është dinamike, ne do të vlerësojmë si do të shkojë ecuria e pandemisë. Jemi në një fazë risku sepse çdo hapje e çdo aktiviteti na rrit ekspozimin ndaj virusit. E rëndësishme është që ne të vijojmë të respektojmë masat e distancimit social dhe të higjienës. Më pas do të vlerësojmë nëse do të kemi një rritje eksponenciale të numrave, që do të na çojnë drejt masave kufizuese”./tvklan.al