Nano fushatë në Rrëshen, prezanton Marie Bibën për kryetare bashkie – (8 Tetor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano, në turin e tij për raundin e dytë të zgjedhjeve për pushtetin lokal, ka prezantuar në qytetin e Rrëshenit, kandidaten socialiste për kryetare bashkie, Marie Biba. Mes socialistëve të Rrëshenit, Nano ka premtuar se në qoftë që gjatë viteve të qeverisjes së PS, u bë e mundur që Rrësheni të jetë vetëm 50 minuta larg kryeqytetit, me Metën kryeministër dhe Marie Bibën në krye të bashkisë, Mirdita do të jetë edhe më afër.
Fatos Nano, Kryetar i PS:- “Me liritë që ju keni dhënë qytetarëve, ka ende mjaft njerëz që abuzojnë deri për të vrarë dhe unë vazhdoj të vlerësoj më shqetësim që PD e Mirditës është shumë afër me veprime kriminale. Unë nuk besoj që ky është elektorati demokrat i Mirditës, por strukturat e kriminalizuara të PD në qendër dhe në Rrëshen, duhen goditur dhe neutralizuar me votë në mënyrë që me forcën e ligjit, me qeverisjen tonë, përfundimisht të shpërbëhen”.
Në fjalën e tij, Nano ka premtuar se pushteti do të menaxhohet me kujdes. Nuk do të lë Gjinushin dhe Partinë e tij, të krijojë modelin e të majtës që abuzon me pushtetin, ka premtuar Fatos Nano./tvklan.al