KQZ kundërshton ripërsëritjen e votimeve në Himarë – (19 Tetor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka mbyllur zyrtarisht diskutimet mbi rezultatin e votimit, për kryetarin e bashkisë së Himarës. Ky komision ka hedhur poshtë kërkesën e PBDNJ, për ripërsëritjen e votimeve në qendrat e votimit, në fshatrat Pilur, Palasë, Kridhës, Qeparo e Dhërmi, fshatra që i përkasin bashkisë së Himarës.
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, pretendonte se kryetari i komisionit qendror të qeverisjes vendore, Thanas Duri, u ka bërë presion anëtarëve të komisionit të votimeve, duke përdorur armët, ndërkohë që sipas tyre ishin hedhur fletë votimi në mënyrë abuzive, pro kandidatit socialist Viktor Mato. Anëtarët e KQZ, deklaruan se edhe sikur votimi të përsëritej në këto fshatra, rezultati nuk do të ndryshonte, pasi diferenca e votave mes kandidatit të PS Viktor Mato, i cili fitoi 2000 vota, kundrejt 730 votave të Vasil Bollanos të PBDNJ është një diferencë e madhe.
Kundërshti i ankesës për ripërsëritjen e votimeve në Himarë, ka ardhur pas takimeve të ambasadorit amerikan Limpreht me kryetarin e KQZ Fotaq Nano, Presidentin Mejdani dhe kryetarin e PBDNJ Vasil Melo./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame