Petro Koçi: PD dëshiron një 14 shtator të dytë (27 Tetor 2000)
Socialistët e kanë zhvleftësuar mitingun e demokratëve në sheshin “Skënderbej” dhe devijimin e protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Demokratët duan të dhunojnë institucione si më 14 shtator, por policia nuk do t’i lejojë, shprehet sekretari organizativ i PS-së, Petro Koçi.
“Ka shumë koka të nxehta në Partinë Demokratike që do t’a dëshironin përsëritjen e 14 shtatorit, biles me një rezultat të ndryshëm nga ai i 14 shtatorit ’98. Por, mendoj se kjo është një rrugë shumë e gabuar. Rruga e shkatërrimit të Partisë Demokratike, të institucioneve dhe vlerave që ka mundur kjo parti të interpretojë deri para pak kohësh në demokracinë shqiptare. Natyrish devijimi nga leja e policisë tregon që PD, gjithnjë e më shumë dëshmon se është e lidhur me shkeljen e ligjit dhe jo me respektimin e ligjit. Me forcën që ka arritur policia shqiptare sot, pavarësisht nga nevoja për përmirësime të vazhdueshme të saj, mendoj se rendi dhe qetësia në Shqipëri në jetën publike, në funksioninim publik të institucioneve është e garantuar.”/tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame